Haradinaj takon përfaqësuesen e OKB-së, flasin për reformat në këtë organizatë
Kryeministrit Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim koordinatoren për zhvillim të OKB-së në Kosovë, Ulrika Richardson.
Zyrtarja e OKB-së e ka njoftuar Haradinajn për reformat që kjo organizatë po implementon në misionet e saja përfshirë edhe Kosovën, duke e vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm për të fuqizuar rolin dhe koordinimin më të mirë të institucioneve të vendit dhe 15 agjencive të kësaj organizate që janë prezent në Kosovë.
“Përkraha idenë e zbatimit në praktikë të fondit të besimit të Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm – SDG, në favor të fuqizimit të rolit të institucioneve tona dhe bashkëpunimit më agjencitë e OKB-së, si një mekanizëm i nevojshëm për të rritur efikasitetin dhe adresuar më mirë interesat e shoqërisë, duke u fokusuar në tema të veçanta dhe në rezultate konkrete”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Kryeministri Haradinaj gjithashtu ka theksuar se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera janë të gatshme siç kanë vepruar deri më sot që bashkërisht të çojnë përpara projekte të rëndësishme, si në fushën e edukimit, barazisë gjinore, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, fuqizimin e rolit të gruas, përfshirjes sa më të mirë të komuniteteve dhe aspekte të tjera, të rëndësishme të shoqërisë.
/Epoka e re/