Haradinaj takon përfaqësuesit e Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës

30 janar 2019 | 17:24

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur të mërkurën në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, me të cilët kanë biseduar për zhvillimet e fundit, veçanërisht rreth projektligjit për Pagat për sektorin publik.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj pasi ka dëgjuar kërkesat e tyre, ka thënë se së bashku me kabinetin qeveritar dhe personat kompetent në këtë fushë, janë angazhuar që maksimalisht t’u përgjigjen kërkesave të tyre.

“Në këtë aspekt kemi vendosur që të trajtohen çështjet që lidhen me stazhin e punës të viteve të ‘90-ta duke krijuar një komision qeveritar që do të trajtojë këtë temë. Po ashtu do të diskutohet për kushtet e punës në shërbim civil, aspekti i inspektorateve dhe avancimin e shërbyesve civil të komunës së Prishtinës sipas Ligjit për Kryeqytetin”, ka deklaruar kryeministri gjatë këtij takimi.

Kryeministri Haradinaj është shprehur i kënaqur që ngritja prej 0.20 për qind, që është e barabartë me sektorët tjerë u kuptua si një përkushtim i Qeverisë për të përmirësuar sado pak gjendjen e shërbyesve civilë dhe se vazhdimi i dialogut institucional ndërmjet Sindikatës dhe Qeverisë do të jetë përkushtimi i tij personal.

“Administrata e shtetit e përfaqësuar nga shërbimi civil është motori i shtetit tonë dhe se trajtimi i tyre do të jetë i kujdesshëm përmes një dialogu të vazhdueshëm”, ka theksuar Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj dhe përfaqësuesit e Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës u dakorduan që të fillojnë dialogun institucional të drejtpërdrejt në mes të Qeverisë dhe Sindikatave të Shërbimit Civil.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës falënderuan kryeministrin për pritjen e sotme për t’i dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shumicën e ndeshjeve, madje dhe atyre me më pak rëndësi…