Haradinaj takon sot këshilltarët e Merkelit, temë kryesore taksa dhe dialogu
Kryeministri Ramush Haradinaj pritet të takojë, sot rreth orës 13:30, dy këshilltarët kryesorë të politikës së jashtme të kancelares gjermane Angela Merkel, Matthias Leuttenberg dhe Jan Hecker.
“Klan Kosova” merr vesh se në këtë takim pritet të diskutohen disa pika.
Një burim zyrtar për “Klan Kosovën” ka treguar se këshilltarët e kancelares gjermane do t’i tregojnë qeveritarëve kosovarë idenë e tyre se si të gjendet një rrugëdalje për çështjen e taksës 100 % për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.
Sipas këtij burimi, Hecker dhe Leuttenberg do të kërkojnë të dinë nëse Kosova ka një plan për arritjen e Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë me Serbinë.
Pos kësaj, këshilltarët kryesorë të politikës së jashtme të Gjermanisë pritet të flasin për çështjen e vizave pasi Gjermania edhe zyrtarisht është në favor të heqjes së regjimit të vizave për kosovarët.
Në këtë takim pritet të diskutohet edhe çështja e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë ku gjermanët kërkojnë që në marrëveshjen finale të mos përfshihet çështja e ndryshimeve të mundshme të vijës kufitare.
Në ndërkohë, gazeta beogradase “Blic” duke iu referuar burimeve diplomatike ka shkruar se Jan Hecker, këshilltari më i rëndësishëm i politikës së jashtme të kancelares gjermane Angela Merkel dhe këshilltari për Ballkan i saj, Matthias Leuttenberg, do të shkojnë sot në Serbi pas vizitës që do ta zhvillojnë në Kosovë.