Tema e dialogut me Serbinë i bën bashkë Veselin, Haradinajn dhe Limajn
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush, Haradinaj, ka pritur të martën në takim kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli dhe atë të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, me të cilët ka diskutuar për krijimin e unitetit të brendshëm politik për fazën finale të dialogut me Serbinë.
Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se në ditët të ardhshme pret të takohet me liderët e partive tjera politike, duke bërë me dije se ftesë për takim i ka dërguar Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.
“Në kuadër të nismës për organizimin e Konferencës së Unitetit për Kosovën, sot kam zhvilluar një takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Ishte vlerësim i përbashkët se Kosova, sot më shumë se kurrë, ka nevojë për unitet të brendshëm politik në fazën e një epilogu të dialogut me Serbinë. Takimet konsultative me kryetarët e partive parlamentare do të vijojnë në ditët në vazhdim. Sot u kam dërguar nga një letër edhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, si dhe përfaqësuesve të grupit parlamentar 6 plus”, ka shkruar Haradinaj.
https://www.facebook.com/RamushHaradinajOfficial/photos/a.179881242136298/1654085834715824/?type=3&theater