Haradinaj: Taksa 100 për qind duhet të hiqet me njohjen e shtetësisë së Kosovës
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka takuar zv-asistentin e Sekretarit të Shtetit dhe Përfaqësuesin e Posaçëm për Ballkanin Perendimor ambasadorin Mathew Palmer, nga Departamenti i Shtetit, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe rajon.
Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Kosova ka treguar maturi në funksionim të demokracisë duke mbajtur zgjedhje të lira dhe me transfer demokratik të pushtetit.
“Ne kemi konsoliduar demokracinë dhe duhet të njejtën ta realizojme çdo ditë. Ambasadorit Palmer i ritheksova se duhet të arrihet marrëveshja gjithpërfshirëse me Serbinë që rezulton me njohje reciproke. Vendimet sovrane të Kosovës siç është tarifa 100% ndaj Serbisë është vendosur për t’u mbrojtur nga politika agresive e shtetit fqinj dhe ajo duhet të hiqet me njohjen e shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se Kosova në perspektivën Euro-Atlantike është kandidatja e radhës që të anëtarsohet në NATO.
“SHBA qëndron e palëkundur në përkrahje të shtetësisë së Kosovës dhe ne jemi me fat që kemi këtë miqësi”, ka deklaruar Haradinaj.
/Epoka e re/