Haradinaj: Taksa 100 për qind është vendim sovran i Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar sot vendimin e Qeverisë për taksën 100 për qind.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se taksa 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës është vendim sovran i Kosovës.
“Taksa 100%, si vendim sovran i Kosovës, le të shërbejë si porosi për të gjithë se ne jemi zgjuar, të vetdijshëm dhe se jemi vetvetja. Prodhuesit vendorë e kanë përpara një periudhë të artë, të cilën duhet ta shfrytëzojnë për fuqizimin dhe qëndrueshmëri në treg. Reforma fiskale, që i fuqizon ata dhe taksa për importet nga Serbia dhe BeH u ka krijuar atyre rrethana më të favorshme, duke iu hequr barrën e diskriminimit. Këtë mëngjes mora pjesë në Konventën e Parë të Prodhuesve Vendorë, ku theksova se Kosova tani ka më shumë vetëbesim dhe prodhuesit tanë po e fitojnë besimin e konsumatorëve në tregun tonë dhe në atë europian”, ka shkruar Haradinaj.