Haradinaj: Taksa është ideuar edhe më herët, është propozuar edhe nga Bajram Hasani
Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur sërish për vendimin e Qeverisë së Kosovës për taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, dhe qëndrimin e tij për këtë vendim se njëherë duhet të ndodh një kontratë ku parashihet njohja nga Serbia për ta suspenduar taksën.
Kryeministri në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se ideja për taksën ka qarkulluar edhe më herët por që është diskutuar brenda partnerëve të koalicionit, para se të merret si vendim në Qeveri.
“Taksa ka qenë e ideuar si veprim edhe më herët, para se të merrej vendimi”, ka thënë ai.
Haradinaj ka thënë se për t’i vënë taksë Serbisë është propozuar në Qeveri edhe nga ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, transmeton “Epoka e re”.
Haradinaj ka thënë se ky vendim duhet të kuptohet si vendim i kryetarit të Qeverisë, pasi sipas tij ai është kryeministër i të gjithë partnerëve të koalicionit. “Është vendim i kryetarit të Qeverisë”, ka thënë Haradinaj.