Haradinaj: Taksa mbetet në fuqi
22 janar 2019
| 15:30
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se taksa e vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës mbetet në fuqi.
Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në një konferencë për media, Haradinaj ka thënë se dëshiron që t’i dëgjojë sugjerimet dhe thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për shfuqizimin e tarifës, por vendimi për heqjen e saj nuk mund të merret pa arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi.
“Edhe ne kemi dëshirë ta heqim taksën dhe synojmë ta heqim atë, sepse është edhe sugjerim i aleatëve tanë, pra i ShBA-së, por e ndërlidhim heqjen e saj me një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë për njohje reciproke”, ka deklaruar Haradinaj.