Haradinaj: Taksa nuk hiqet, nuk i dorëzohem as Rusisë as Serbisë
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar unitet të spektrit politik të Kosovës lidhur me taksën.
Ai ka treguar se kjo taksë nuk do të hiqet derisa Serbia ta njeh Kosovën si shtet.
Të premten në “Debat” të RTK-së, ai ka thënë se partitë më të mëdha politike, të gjitha duhet të jenë pro taksës.
“Duhet të bashkohemi për taksën si për “Trepçën”. Nuk e pranojmë dialogun me kushte të Serbisë. Aty ku jemi unikë zgjidhet problemi”, ka thënë ai.
“Nuk i dorëzohem as Rusisë as Serbisë, jemi nda me luftë me ta. Pra edhe Amerika duhet të na kuptoj se ne me Serbinë jemi nda në luftë. Ne kemi viktima të shumta nga lufta që kemi bërë me Serbinë”, ka thënë Haradinaj.
Sipas Haradinajt, taksa nuk rrezikon raportet me SHBA-në.
“Mendoj që i kemi disa sfida në marrëdhëniet tona me SHBA-në. Por Kosova kurrë nuk do të jetë antiamerikane. Unë jam me SHBA-në në çdo temë të botës, por sa i përket Kosovës dhe Serbisë, unë jam palë, me të cilën jam ndarë prej luftës. Kjo nuk i rrezikon raportet. Kërkesa e SHBA-së është pezullimi. Asnjë veprim i yni nuk është bilateral me SHBA-në, asnjë gabim nuk e kemi bërë”, ka thënë Haradinaj.