Haradinaj: Të rënët për liri, janë vlera e vetme sublime e jona
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në akademinë përkujtimore me rastin e Ditës së Veteranëve të Koshares dhe rënies së heroit të Kosovës, Sali Çekaj, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes 2019”, që organizohet nën patronatin e kryeministrit.
Kryeministri Haradinaj, gjatë fjalës së tij në këtë akademi përshkroi dimensionet e “Epopesë së Koshares”, të heroit Sali Çekaj, duke thënë se rëndësia e fillimit të luftës, të “Epopesë së Koshares”, ka qenë e madhe, historike, me dimensione të mëdha, duke hyrë në ato momentet më vendimtare në rrugën deri në liri.
“Ju siguroj se një shembull i mirë ka për t’i bindur breza e breza pas neve e do të jetë vetë Heroi i kombit pra veterani Sali Çekaj. Të gjitha dimensionet e veprës së tij, përmasat e kësaj vepre janë shembull i mirë për atdhetarë të ardhshëm. Janë shembull i mirë duke pasur parasysh kohën në të cilën kemi vepruar. Një kohë më e vështira dhe më e paqarta e mundur. Kohë e vlimeve politike por edhe e vlimeve ushtarake”, është shprehur Haradinaj, duke shtuar se të rënët për liri, janë vlera e vetme sublime e jona.
Në këtë akademi, nga një fjalë rasti mbajtën edhe Agron Isufi, në emër të “Brigadës 138 Agim Ramadani” dhe në emër të familjarëve të dëshmorëve dhe të familjes së heroit të Kosovës, Sali Çekaj, djali i heroit, Hysen Çekaj.
/Epoka e re/