Haradinaj: Do të rrugëtojmë së bashku me librin dhe bibliotekën
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në manifestimin “Java e Bibliotekës Kombëtare”, edicioni i XVI, me temën “Arsimimi dhe trajnimi bibliotekar”, u tha drejtuesve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, se Qeveria do ta trajtojë me kujdes dhe respekt infrastrukturën e bibliotekave të Kosovës.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj ka falënderuar dhe përgëzuar të gjithë ata që në ditë të vështira e mbijetuan librin, bibliotekën, të cilët na bënë të jemi këta që jemi sot.
Kryeministri përmendi vakuumin 10-vjeçar të paraluftës, shkatërrimet e luftës, por edhe kohërat emergjente, duke theksuar faktin se edhe në atë kohë nuk kemi qenë vetëm.
“Më kujtohet, që herët, ambasada e Amerikës, me një donacion të botimeve, dedikuar qytetarëve dhe studentëve. E kam përcjell atë kohë dhe më pat bërë përshtypje”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj, duke falënderuar Amerikën, popullin e saj, Ambasadën, për këtë kujdes të vazhdueshëm.
Më tutje, kryeministri Haradinaj ka pohuar se Qeveria jo mjaftueshëm kohë dhe vëmendje i kushton librit, bibliotekës, por edhe aktiviteteve që na bëjnë nder.
“Duke ditur se kemi penda të çmuara që i çmon edhe bota, atëherë, kishim mundur që në këto momente të tilla, t’i shënojmë së bashku, t’i kemi edhe disa prej pendave më të çmuara shqiptare dhe duke i kujtuar edhe ata që s’janë me ne”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Në kuadër të “Javës së Bibliotekës”, u hap edhe ekspozita me gravurat nga botimet e librave kushtuar Skënderbeut.
/Epoka e re/