Haradinaj thotë se disa në Speciale i kanë duart me gjak, reagon gjykatësi
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, është paraqitur të hënën para Gjykatës Speciale, në kuadër të vazhdimit të gjykimit ndaj tij dhe Hysni Gucati.
Ai ka akuzuar si gjithmonë Specialen si gjykatë të padrejtë, ndërsa ka thënë se disa nga personat të cilët po dëshmojnë në Hagë, i kanë duart me gjak.
Madje, Haradinaj ka thënë se kryeprokurori Jack Smith ka gënjyer kur ka thënë se akuzat nuk kanë të bëjnë me UÇK-në.
“Janë të njëjtit persona, emrat e të cilëve dëgjohen në këtë sallë gjyqi, të cilët kanë gjak në duart e tyre dhe prokuroria tani kërkon t’i mbrojë nga publiku për ta shpëtuar turpin e saj. Prokurori Jack Smith qëndroi para jush dhe tha se kjo nuk ka të bëj me UÇK-në. Kjo është gënjeshtër. Pikërisht për këtë bëhet fjalë”, ka thënë Haradinaj.
Qysh në fillim të fjalës së tij, Haradinaj i ka bërë thirrje trupit gjykues që ta përfundojnë këtë çështje.
“Të nderuar anëtarë të panelit, gjykatës dhe ju përfaqësues të shtetit tim që jeni sot aty dhe më dëgjoni, këto komente të shkurtra i bëj si qytetar krenar i Republikës së Kosovës, që i është nënshtruar një procesi nga Prokuroria që mund të cilësohet vetëm si e padrejtë dhe selektive. Tani ju bëj thirrje të nderuar gjyqtarë të një institucioni kombëtar të vendit tim të lindjes, ta përfundoni këtë çështje”, ka thënë Haradinaj.
Më tutje, ai ka thënë se është trajtuar me përbuzje nga prokuroria, ndërsa ka shtuar se “muajt e fundit kanë treguar fare qartë se frika jonë më e madhe është realizuar”.
Haradinaj ka thënë se ndodhet tash e 14 muaj në paraburgim pa asnjë provë.
Ndërsa kryetari i trupit gjykues e ka lutur Haradinajn që të flasë për çështjen ndaj tij, dhe jo për luftën dhe çështje të tjera.
“Duhet të fokusohemi te çështja gjyqësore. Nuk duhet të flasim për luftën”, ka thënë gjykatësi, duke i thënë Haradinajt që të mos bëj deklarata politike.