Haradinaj thotë se janë rritur investimet kapitale në komuna për 40 milionë euro
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se në vitin 2018 janë rritur investimet kapitale në komunat e vendit.
“Viti i Ekonomisë do të reflektojë fuqishëm edhe në zhvillimin ekonomik lokal. Përgjatë vitit 2018 janë rritur investimet kapitale në komunat tona për 40 milionë euro, u janë dhënë në pronësi tokë (rreth 60 prona) për zhvillim ekonomik dhe për nevojat e qytetarëve, Obiliqin dhe Prishtinën i bëmë me ligj, qytetarëve të kryeqytetit ia rikthyem Pallatin e Rinisë, kemi krijuar 15 zona ekonomike, Parkun inovativ trajnues në Prizren dhe Zonën e veçantë ekonomike amerikane në Gjakovë”.
“Për ta vazhduar traditën e vendosur të punës ndërmjet qeverisjes nacionale dhe lokale, e cila ka prodhuar rezultate të qëndrueshme, sot, në forumin konsultativ me kryetarët e komunave kemi shqyrtuar agjendën zhvillimore të vitit 2019, që synon një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht dhe me mirëqenie për qytetarët e saj”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook” pas pjesëmarrjes në konferencën me temën “Zhvillimi ekonomik lokal, prioritet në 2019”.
/Epoka e re/