Haradinaj thotë se ka qejf ta mësojë gjuhën gjermane

02 shkurt 2018 | 20:11

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në hapjen e Qendrës “Goethe”, organizuar nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.

Ai në këtë takim ka treguar se në Kosovë ka parë shumë të interesuar për ta mësuar gjuhën gjermane, por ndër të tjerash ka thënë se edhe vetë ai ka dëshirë ta mësojë.

“Ne si Kosovë dhe qytetarët tanë jemi të etur për kulturën e popujve dhe këtë e kemi dëshmuar me aftësinë tonë për të mësuar gjuhën. E di që në Kosovë ekziston një dëshirë e madhe për ta mësuar gjuhën gjermane. Edhe unë kam qejf ta mësoj. Gjuha gjermane është prezentë në Kosovë, plotë e flasin, por ka plotë të tjerë që kanë qejf ta mësojnë gjuhën e Gëtes, Ajnshtajnit, Mozartit, Hegelit, gjuhën e plotë njerëzve që i njeh bota”, deklaroi Haradinaj.

Për ta kuptuar një popull, Haradinaj ka thënë se mënyra më e drejtë është të flasësh gjuhën e atij populli.

Kryeministri falënderoi institutin “Goethe” për ndihmën e dhënë për mësimin e gjuhës gjermane, njohjen e popullit gjerman, gjuhën, kulturën dhe vlerat e popullit gjerman.

“Ne këtë e marrim edhe si ndihmë edhe si respekt për Kosovën andaj edhe ne do të jemi mirënjohës për këtë”, deklaroi kryeministri Haradinaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ditë më parë ishte paralajmëruar një duet mes Kastriot Tushës…