Haradinaj thotë se kërkesat e zjarrfikësve po marrin zgjidhje
Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim zjarrfikësit, me të cilët ka biseduar për kërkesat e tyre.
Haradinaj ka thënë se kërkesat e tyre po marrin zgjidhje.
Në këtë takim me Haradinajn ishte edhe Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri.
“Që nga fillimi kemi punuar që Zjarrfikësve t’u ofrohet zgjidhje e qëndrueshme, afatgjate dhe përmes ligjit”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Që nga fillimi kemi punuar që Zjarrfikësve t’u ofrohet zgjidhje e qëndrueshme, afatgjate dhe përmes ligjit.
Dhe kjo po ndodhë tani!
Nga 5 kërkesa që kanë pasur zjarrfikësit ne sot, konkludojmë se:
* Kemi ndarë buxhet mbi një milion euro për nivelimin e koeficienteve në nivel vendi për zjarrfikësit, veprim ky që drejtpërdrejt shton të hyrat financiare për këtë shërbim.
* Kemi miratuar Koncept Dokumentin për Financat e Pushtetit Lokal që zgjidhë përfundimisht problemin e pagesës për ta, duke e kaluar këtë përgjegjësi në nivelin qendror.
* Kemi iniciuar procedurën për shërbime mjekësore pa pagesë, në shtëpi shëndeti dhe në spitalet tona.
* Jemi në fazën përfundimtare të blerjes së pajisjeve të reja për punë, në vlerë prej 600 mijë eurosh.
* Përkundër që në ligjin ekzistues orët shtesë duhet paguar nga Komunat, ne kemi marrë zotime që do e shqyrtojmë mundësinë të ndajmë mjete financiare edhe për këtë kërkesë.
* Në ligjin e ri për paga, jemi duke punuar që zjarrfikësit të jenë të barabartë me të gjitha shërbimet e tjera nacionale që kanë rrezikshmëri të lartë në punë.
Orientimi ynë është që ky shërbim, të marrë rolin e një force nacionale që do të shërbej për vendin.
Temat e pa trajtuara prej dekadash, po marrin zgjidhje!
RH