Haradinaj thotë se Lista Serbe nuk e ka mbështetjen e shqiptarëve për rrëzimin e Qeverisë
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur rreth mundësisë për rrëzimin e qeverisë së vendit, të cilën ai e udhëheq.
Haradinaj ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se taksa prej 10 për qind, e vënë ndaj mallrave serbe për hyrje në Kosovë, nuk mund të prodhojë rrëzimin e qeverisë së vendit.
Duke komentuar gatishmërinë e deklaruar të Listës Serbe për të votuar për rrëzimin e Qeverisë, pas vendosjes së kësaj takse, Haradinaj ka vlerësuar se deputetët serbë nuk do të gjejnë mbështetje të gjerë nga opozita shqiptare.
“Njoh plot prej opozitarëve, që nuk do të bëhen bashkë për ta rrëzuar qeverinë në këtë variant”, është shprehur ai.
Sipas kryeministrit, sa më gjatë të qëndrojë taksa në fuqi, aq më shumë do t’i shtohet jetëgjatësia qeverisë së tij.
Haradinaj madje ka paralajmëruar se taksa ndaj Serbisë edhe mund të rritet në të ardhmen. Ky vendim, ka thënë ai, mund të merret në koordinim me partnerët e koalicionit qeverisës