Haradinaj thotë se miratimi i pakos së ligjeve ka rëndësi për liberalizimin e vizave

16 nëntor 2018 | 12:05

I kryesuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është mbajtur sot takimi i radhës i nivelit të lartë për sundimit të rendit dhe ligjit, në të cilin takim është prezantuar progresi i Kosovës në këtë fushë si dhe të arriturat sa i përket pakos së ligjeve për Agjendën e Reformave Evropiane.

Kryeministri Haradinaj ka theksuar përkushtimin e Qeverisë në përmbushjen e Agjendës së Reformave Evropiane që dalin nga MSA-ja, duke vlerësuar se institucionet e Kosovës duhet të intensifikojnë përpjekjet për ta unifikuar agjendën për integrim.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen edhe me shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të aprovojnë ligjet që ndërlidhen me procesin e integrimit evropian, pasi që Kosova është në fazën finale të procesit të liberalizimit të vizave.

Në këtë takim, po ashtu është biseduar edhe për rastet e shënjestruara, dhe pakon e ligjeve që ndërlidhen me liberalizimin e vizave, kodin penal, konfiskimin e pasurisë, mbrojtjen e informatorëve, duke mos lënë anash edhe të arriturat sa i përket Agjendës së Reformave Evropiane, për të cilat është thënë se janë shënuar rezultate, por kërkohet që edhe më tutje të ketë dinamikë të shtuar.

Përfaqësuesit e tjerë institucional kanë shprehur gatishmërinë dhe zotimet e tyre në përmbushjen e të gjitha obligimeve në këtë proces sipas dinamikës së paraparë.

Të arriturat institucionale në këtë takim i ka paraqitur edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili ka vlerësuar se votimi i pakos së ligjeve në Kuvendin e Kosovës është jetik për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe e ngarkuara me punë në Misionin e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Colleen Hyland,  përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulos dhe shefja e USAID-it Lisa Magno.

/Epoka e re/  

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Financave me qëllim të ngritjes së transparencës fiskale…