
Haradinaj thotë se nuk ishte i informuar për arrestimin e gjashtë qytetarëve turq
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nëpërmjet një deklarate për medie ka reaguar lidhur me arrestimin dhe deportimin e gjashtë qytetarëve turq nga Kosova.
Haradinaj ka thënë se ka disa elemente që e bëjnë të paqartë këtë operacion deri të urgjenca e deportimit.
Kryeministri ka treguar se nuk ka qenë i informuar nga asnjë institucion vendor për ndalimin dhe deportimin e gjashtë punonjësve të Kolegjit “Mehmet Akif”.
“Sot, përmes një operacioni të ndërmarrë nga AKI në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë ndaluar dhe deportuar 6 qytetarë turq. Ka disa elemente që e bëjnë të paqartë këtë operacion deri të urgjenca e deportimit. Si kryeministër i Kosovës duke mos qenë i informuar nga asnjë institucion vendor për ndalimin dhe deportimin e tyre, do të veprojë në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë veprim dhe paqartësitë rreth këtij veprimi”, është thënë në deklaratën për medie të kryeministrit Haradinaj.