Haradinaj thotë se nuk ka informacione se kur mund të ndodhin arrestimet nga Specialja
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk ka ndonjë informatë se kur mund të ndodhin arrestimet e para nga Gjykata Speciale.
Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë në një konferencë me gazetarë ka thënë se do të ishte mirë të pyeten rreth arrestimeve të mundshme ata që e kanë votuar këtë gjykatë.
“Për arrestimet nuk di asgjë. Më mirë t’i pyesni ata që e kanë votuar gjykatën, ndoshta ata i dinë më mirë procedurat sepse unë jam jashtë informatave. Nuk kam ndonjë informatë. Ata që e kanë votuar e që thoshin është e nevojshme është mirë t’i pyesni se çfarë mendojnë”, është shprehur Haradinaj.
Në këtë konferencë, Haradinaj ka folur edhe për taksën 100 për qind , për të cilën ka thënë se e ka ruajtur sovranitetin e Kosovës.
Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria e re që edhe nëse vendos masën e reciprocitetit ndaj Serbisë ta mbajë edhe taksën.
/Epoka e re/