Haradinaj thotë se raporti i KE-së për Kosovën përmban gjëra pozitive dhe kritika

29 maj 2019 | 18:06

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim shefen e zyrës së BE-së, në Kosovë, ambasadoren Nataliya Apostolova, me rastin e pranimit të Raportit për Kosovën 2019, i Komisionit Europian, raport ky me ane të të cilit Komisioni Evropian e mat progresin e një vendi në përmbushjen e agjendës evropiane brenda vitit kalendarik.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, theksoi se ka pranuar këtë raport për vitin 2019 dhe të gjeturat e tij, progresin por edhe ngecjet në fusha të caktuara.

“Sot ndoshta nuk do ta bëjmë analizën e mirëfilltë të raportit, por në javën që vjen në dakordim me ministren Dhurata Hoxha të ftojmë Këshillin ndërministror për integrime evropiane të cilin e bashkëkryesojmë dhe të bëjmë një analizë të të gjitha të gjeturave, në mënyrë që të nxjerrim detyrat e shtëpisë për Qeverinë bazuar në këto të gjetura por edhe të japim përgjigjen në këto të gjetura në bazë të vlerësimit tonë po ashtu”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj.

Në fjalën e tij para gazetarëve, në konferencën për media, pas takimit që fillimisht pati me ambasadoren Apostolova dhe ministren Dhurata Hoxha, kryeministri Haradinaj sqaroi se ky është një raport me të gjetura të përziera, pasi në raste të caktuara ka vlerësim pozitiv për progresin e arritur, por në raste të tjera ka kritikë.

Ndërsa, shefja e Zyrës së BE-së, në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se ka kënaqësinë t’ua prezantojë të gjeturat nga raporti i vendit për Kosovën 2019, ministres Hoxha dhe Kryeministrit Haradinaj, duke shtuar se mesazhi më i rëndësishëm që po japin nëpërmjet raportit të vendit është rikonfirmimi i perspektivës evropiane të gjashtë vendeve partnere nga Ballkani Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, tha se Raporti për vendin pasqyron dhe është një udhërrëfyes për ne se ku duhet të shkojmë, sa duhet të bëjmë, duke theksuar se ka shumë të arritura që janë të evidentuara në këtë raport, por ka edhe shumë rekomandime që na tregojnë rrugën se cilat reforma jemi duke i bërë mirë dhe cilat reforma duhet t’i bëjmë me një dinamikë më të shtuar.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boris Johnson, njëri nga kandidatët e Partisë Konservatore për kryeministër…