
Haradinaj thotë se s’ka komunikim me Limajn pas intervistës së fundit: Ndarje e turpshme
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka treguar se me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajn, nuk ka pasur komunikim që pas intervistës së këtij të fundit.
Para medieve, Haradinaj është shprehur se nëse Nisma dhe Limaj mbështesin pushtetin, atëherë ata ndahen nga AAK-ja.
“Nuk kam komunikim nga intervista e fundit e famshme e Limajt. Ka qenë i vështirë krijimi i shumicës nga opozita, pozicionimi i tij i hershëm e ka bërë edhe më të vështirë, edhe nëse Nisma dhe Limaj mbështesin pushtetin, kuptohet që ata ndahen nga ne. Por është një ndarje e turpshme, pasi kemi kërkuar vota për ndryshim dhe sjellja e tyre, veprimi i tyre është mjaft i turpshëm”, ka thënë Haradinaj.
Në pyetjen nëse AAK-ja do ta votojë Limajn për kryeparlamentar, Haradinaj është përgjigjur: “Ne në praktikë asnjëherë nuk kemi penguar konstituimin e Kuvendit dhe nuk e bëjmë ndaras. Nuk besoj që do të pozicionohemi kundër konstituimit të Kuvendit. Nuk e dimë ende emrin. Është ndarje e turpshme pasi kemi shkuar në të gjithë vendin për të kërkuar vota për ndryshim, dhe me u sjell në këtë mënyrë nuk është në rregull”.
Më tutje, Haradinaj ka thënë se nuk ka kushte për opozitën në rast se LV-ja dështon të krijojë qeverinë.
“Për opozitën asnjë kusht. Nëse ndahet Limaj është më e vështirë, por ne do të vazhdojmë”, është shprehur Haradinaj.