Haradinaj thotë se zgjedhjet mund të mbahen në pranverë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë mund të mbahen në pranverë.
Madje thotë se të gjitha partitë politike janë bërë gati për zgjedhje dhe se vendi është tashmë në fushatë.
Haradinaj thotë se AAK-ja qëndron dukshëm më mirë sesa në sondazhin e publikuar së fundmi, derisa shton se i njëjti ka qenë i porositur nga partia në pushtet me qëllim të ndikimit në perceptimin e qytetarëve.
“Kjo që po ndodh është aromë zgjedhje… Të gjithë po bëhen gati për zgjedhje, jemi në fushatë, dihet që kemi hyrë në fushatë, por është e dhimbshme nëse partitë shpenzojnë dhjetëra-mijëra euro me “iu marrë mend” njerëzve, t’iu thuhet se ky është fituesi, ai është fituesi. Kështu ndodhi mashtrimi me zotëri Kurti atëherë”, thotë Haradinaj.
Haradinaj rendit arsyet që sipas tij qytetarët nuk duhet ta votojnë sërish Albin Kurtin.
Lideri i AAK-së e kritikon Kurtin edhe për çështjen e dialogut me Serbinë, pranimin e draftit të asociacionit dhe mosplotësimin e kërkesave të policisë. (kp)