Haradinaj tregon qëndrimin e AAK-së për dialogun me Serbinë

27 prill 2021 | 18:54

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka mbajtur një takim me anëtarët e Kryesisë së kësaj partie, ku është diskutuar për qëndrimin rreth dialogut Kosovë – Serbi.

Haradinaj ka thënë se temat nacionale nuk janë ekskluzivitet i askujt.

“Askush nga institucionet e Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin Kurti, nuk duhet të ndërmarr veprime sa i përket temave të dialogut me Serbinë e që do e befasojnë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Askush nuk duhet të hyjë në obligime të fshehta apo të hapura, pa dakordim paraprak me spektrin politik në Kosovë, përkatësisht Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se AAK-ja në kuadër të këtij dialogu pret njohje reciproke, me marrëveshje obligative ligjore, në kufijtë ekzistues, organizimin aktual të brendshëm kushtetues, karakterin unitar të Republikës së Kosovës.

“Askush nuk ka mandat të dialogojë Kosovën e 17 shkurtit e debatet e ngritura së fundmi për disa të ashtuquajtura ‘non paper’, nuk janë çështje për diskutim. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të kryejë të gjitha obligimet lidhur me dialogun, si parti opozitare në Parlamentin e Kosovës. Si parti që kemi qenë konsistentë në ruajtjen e interesave kombëtare, në rast se vërejmë tendenca që rrezikojnë të ardhmen e vendit tonë, do të jemi në mbrojtje të atyre interesave, me të gjitha mjetet e mundshme demokratike”, është shprehur lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Socialiste dhe mbështetësit e kësaj partie janë mbledhur në…