Haradinaj tregon se çfarë bisedoi me zyrtarin e lartë britanik
Kryeministri Ramush Haradinaj ka takuar sot drejtorin e Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, me të cilin ka bashkëbiseduar për zhvillimet politike në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.
Në profilin e tij në “Facebook”, kryeministri ka shkruar se Kosova është thellësisht e interesuar për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, në thelb të së cilës qëndron njohja reciproke në kufijtë ekzistues, përfshi kapitullin e tregtisë së lirë.
“Me drejtorin e Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, bashkëbiseduam për zhvillimet politike në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor. E vendosur për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon, Kosova është thellësisht e interesuar për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, në thelb të së cilës qëndron njohja reciproke në kufijtë ekzistues, përfshi kapitullin e tregtisë së lirë. Kosova ka folur me një zë dhe për këtë ka votuar në Kuvend Ligjin dhe Platformën për Dialog, që përfaqëson unitetin e institucioneve tona. Mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për Kosovën dhe qëndrimin e palëkundur në ruajtjen dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj”, ka shkruar Haradinaj.
/Epoka e re/