Haradinaj tregon se çfarë bisedoi përmes telefonit me Stoltenbergun
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka treguar për bisedën telefonike që ka zhvilluar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Haradinaj ka bërë me dije se është i kënaqur me përkushtimin e NATO-s për të mbështetur Kosovën në tërësi.
“Sot, kam zhvilluar një bisedë miqësore telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Jens Stoltenberg, dhe jam i kënaqur me përkushtimin e NATO-s për të mbështetur Kosovën në tërësi. Me kënaqësi e informova Sekretarin Stoltenberg për miratimin e Ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes, mandatimin ushtarak të FSK-së dhe shërbimin në FSK. Po ashtu, e informova për veprimin konkret të Qeverisë së Kosovës në themelimin e Komitetit Ndër-Ministror për Integrimet dhe Anëtarësimin në NATO, si një zhvillim konkret për afrimin e Kosovës me NATO-n”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se e ka garantuar sekretarin Stoltenberg për transparencën e procesit të tranzicionit të FSK-së, duke shprehur vizionin e tij dhe të Qeverisë për thellimin e partneritetit me NATO-n, KFOR-in, NALT-in, Programin e Ndërveprimit të Zgjeruar dhe për gatishmërinë e trupave të FSK-së për kontribut në sigurinë rajonale dhe globale.
“Kosova do të punojë ngushtë me NATO-n për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale të FSK-së në mandatin ushtarak, si dhe për angazhimin e përbashkët në ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjes”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
/Epoka e re/