Haradinaj tregon se çfarë biseduan me zyrtarët e lartë amerikanë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, janë takuar me dy përfaqësues të lartë amerikanë.
Pas takimit, kryeministri Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se zyrtarëve amerikanë u ka thënë se Republika e Kosovës është e angazhuar në mënyrë të pakthyeshme për të forcuar demokracinë dhe institucionet e saj.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Në takim me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, së bashku me presidentin e vendit tonë, theksova se Republika e Kosovës është e angazhuar në mënyrë të pakthyeshme për të forcuar demokracinë dhe institucionet e saj.
Kosova është e gatshme për marrëveshje ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 shkurtit 2008. Po ashtu, është e gatshme për marrjen e të drejtave dhe detyrimeve të anëtarësimit në NATO, Kombet e Bashkuara, BE dhe organizatat tjera ndërkombëtare dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore.
Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Gjithashtu, Kosova mbështetet në vlerat e një shoqërie shumetnike, të bazuar në të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët dhe komunitetet e saj. I mbetemi besnik miqësisë së përhershme dhe bashkërendimit të politikave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
/Epoka e re/