Haradinaj: U bëj thirrje kryeministrit e presidentes të mos e marrin në qafë Kosovën
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha për “Ekonomia Online” se i ka parë me shqetësim të madh deklaratat e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, për dëmtimin e partneritetit të ShBA-së me Kosovën.
Haradinaj ka kërkuar reagim edhe nga presidentja e vendit, që mos “ta marrin në qafë Kosovën”.
Ai ka kërkuar që Kosova t’i rregullojë raportet me ShBA-në, në mënyrë që ta fitojë anëtarësimin në NATO.
“Në Kosovë duhet të gjithë të kemi qartësi, pra s’guxojmë më tutje të heshtim nëse e shohim ambasadorin në konferencë për shtyp, shqetësimin e tij, emocionin e tij, se ai me dhimbje i thotë ato që i thotë, edhe nëse nuk veprojmë nuk është mirë”.
“Së pari i kisha bërë thirrje kryeministrit, presidentes të mos e marrin në qafë Kosovën, pra t’i kthehen një marrëdhënie të besueshme me Amerikën edhe ta synojmë fitoren e krejt fitoreve që është anëtarësimi në NATO, e jo fitore ditore sa me e rritë votën, sepse partitë shkojnë e vijnë, por Kosova pa Amerikën e ka vështirë”, u shpreh Haradinaj.