Haradinaj: U dakorduan që të zbatohet një marrëveshje e vitit 2011, dialogu të kalojë në një nivel tjetër

27 gusht 2022 | 21:35

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar në lidhje me arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, ku të dyja vendet janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e tyre.

Haradinaj ka theksuar se dakordimi që të zbatohet një marrëveshje për dokumentet, e arritur qysh në vitin 2011, është një shenjë e mirë e vetëdijësimit se marrëveshjet duhet të zbatohen.

“Është për keqardhje që është dashur të pritet kaq gjatë e të shpenzohet kaq mund e energji për zbatimin e një marrëveshjeje që mundëson lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve. Marrëveshjet një nga një janë strategji e Serbisë për të blerë kohë e për ta vonuar Kosovën”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se interesi shtetëror, nacional e qytetar i Kosovës është marrëveshja përfundimtare për njohje, e cila mund të arrihet vetëm me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa ndihmën e të cilës nuk do të fillonte as zbatimi i marrëveshjes për dokumentet e identifikimit.

“Kanë kaluar njëzetë e sa vjet ç’prejse është krijuar një realitet i ri në Kosovë dhe mbi katërmbëdhjetë vjet qysh Kosova është shpallur shtet sovran dhe i pavarur. Tash është koha e duhur që dialogu të kalojë në një nivel tjetër dhe Serbia ta njoh Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka shkruar për…