Haradinaj: UÇK-në e ndihmuan bombardimet e NATO-s, Kosova e ka vendin në familjen euroatlantike
Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, në shënimin e 25-vjetorit të “Epopesë së Dukagjinit”, ka thënë se Serbia ka synuar që të mos e lë askënd të gjallë në Kosovë.
Duke folur para të pranishmëve, Haradinaj ka thënë se Serbia është thyer në Gllogjan.
Haradinaj ka theksuar se në luftën e Kosovës, askush nuk është ndarë me zona, por kanë qenë të bashkuar.
Më tutje, Haradinaj ka thënë se ndihmë të madhe fitores i dhanë edhe bombardimet e NATO-s, një vit më vonë, raporton “EO”.
“Ne e njohim këtë ditë si ditën e fitores. E vërtetë se ata kanë qenë luftëtar të hershem. Këta të tre atë ditë u flijuan me një betejë që morri kuptim, kuptimi i saj është fitorja. Serbia kishte ndjek një strategji të vetën, kishte goditur në Qirez e Prekaz. Ishte porosia që të mos leni askënd gjallë. Zoti deshi që ata të tërhiqen me turp e ne me fitore. Miti i Serbisë u thye këtu. Pse kjo ditë e jona është e fitores, sepse nuk ndamë askënd nga lufta. Të gjithë janë trajtuar njëjtë, të gjithë luftëtarët e të gjitha trevave. Ajo çka na ndihmoi me fituar luftën ishte dita e njëjtë por një vit më vonë. Atë ditë erdhën sulmet e NATO-s të prirë nga Amerika. Unë me zemër iu them Amerikës dhe NATO-s që çdo ditë keni qenë me ne. Ne si Kosovë do të rreshtohemi me NATO-n, Amerikën dhe besoj shumë që Kosova e ka vendin në NATO që të punojë për lirinë”, ka thënë Haradinaj.