Haradinaj udhëton për në ShBA, do të zhvillojë takime në Pentagon, DASh dhe në Shtëpinë e Bardhë
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është nisur për një vizitë zyrtare për ShBA.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili.
Në një prononcim për gazetën “Nacionale”, ai ka dhënë detaje për takimet që do t`i këtë Haradinaj në ShBA-së.
“Vizitën e tij Haradinaj do ta fillojë në Chicago, ku do të qëndrojë me ftesë të Universitetit të Chicagos –‘Instituti Pearson’, në konferencën e tyre globale, ku do të flasë për zhvillimet në Kosovë dhe rrugëtimin e Kosovës që nga liria e deri më sot. Po ashtu, Haradinaj në Chicago do të takojë një pjesë të komunitetit shqiptar. Vizitën e tij në ShBA ai do ta vazhdojë në Neë York ku do të pritet nga Federata Panshqiptare “Vatra” dhe do të takojë komunitetin shqiptaro-amerikan. Gjatë qëndrimit në Nju-Jork, z. Haradinaj do të takojë kongresmenë dhe zyrtarë tjerë të shtetit”, ka treguar ai.
Më tutje, Xhemaili ka tregua edhe për takimet që i pari i AAK-së do t`i këtë me zyrtarët amerikanë.
“Vizitën zyrtare z. Haradinaj do ta përmbyll në Uashington ku do të zhvillojë takime zyrtare në tri institucionet kryesore: Pentagon, Departamentin e Shtetit Amerikan dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë”, ka thënë ai.
Në këtë vizitë, Haradinaj do të shoqërohet nga shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.