Haradinaj uron Ditën e Çlirimit: Mirënjohës përjetë UÇK-së dhe NATO-s të udhëhequr nga ShBA-ja
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar Kosovën për Ditën e Çlirimit.
Në këtë ditë, Haradinaj ka shprehur mirënjohje ndaj UÇK-së, NATO-s dhe ShBA-së.
“Për këto 24 vjet në liri, Kosova është ndërtuar e është zhvilluar jashtëzakonisht shumë, ndoshta më shumë se secili vend në rajon për të njëjtën periudhë kohore”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Kosovë, urime Dita e Çlirimit!
Të përulur përjetësisht, kujtojmë e nderojmë rrugën e gjatë dhe përpjekjet e mundimshme të shqiptarëve në të gjitha periudhat historike që kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për këto 24 vjet në liri, Kosova është ndërtuar e është zhvilluar jashtëzakonisht shumë, ndoshta më shumë se secili vend në rajon për të njëjtën periudhë kohore.
Kosova ka ndërtuar gjithçka nga fillimi, e sot jemi shtet që njihemi ndërkombëtarisht, një vend për të cilin ka njohuri e gjithë bota.
Duke kujtuar betejat e burrave e grave të UÇK-së anekënd vendit, jemi falënderues për aleatët tanë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lirinë tonë e bëri edhe më kuptimplotë, përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare në krye me ShBA-në dhe NATO-n, që përshpejtoi fitoren duke ndërprerë vuajtjet dhe gjenocidin që ushtrohej mbi popullin tonë.
Ta gëzojmë këtë liri, ta njohim vlerën e saj dhe të vazhdojmë në ndërtimin e të ardhmes sa më të mirë!