Haradinaj uron Maqedoninë: Tani është radha që Kosova të bëhet shteti anëtar i 31-të i NATO-s
Ish-kryeministri dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar lajm shumë pozitiv dhe të rëndësishëm për forcimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin tonë, ratifikimin e sotëm nga Senati spanjoll për pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.
“Jam posaçërisht i gëzuar për bashkëkombësit tanë në këtë shtet, partitë politike shqiptare, të cilat kanë luajtur një rol kyç në përpjekjet e tyre të vazhdueshme për ruajtjen dhe sigurimin e plotë të orientimit euro-atlantik”.
“Si Kosovë duhet të mbetemi të përkushtuar dhe të angazhohemi fuqishëm me të gjitha kapacitetet institucionale e politike për arritjen e objektivit tonë nacional, për anëtarësimin e plotë në NATO”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se sot Kosova është e gatshme më shumë se asnjëherë më parë, për fillimin e dialogut politik me NATO-n si dhe marrjen e përgjegjësive kontributdhënëse për forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon e më gjerë.
“Tani është radha jonë, radha që Kosova të bëhet shteti anëtar i 31-të i NATO-s. Urime, fqinji ynë, Maqedonia e Veriut!”, ka shkruar Haradinaj.
/Epoka e re/