Haradinaj: USAID-i, partner i rëndësishëm në zhvillimin e Kosovës
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e betimit të drejtoreshës së re të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, ceremoni kjo që për herë të parë po mbahet në Kosovë.
Kryeministri Haradinaj, ka thënë se është kënaqësi të mirëpres për herë të dytë një mike të respektuar të Kosovës, por tani në një mision shumë të rëndësishëm në cilësinë e drejtoreshës së USAID-it.
“Për popullin e Kosovës dhe institucionet e saj, emri i USAID-it do të thotë shumë. Populli amerikan ishte me popullin e Kosovës që nga fillimi i përpjekjeve tona për ndërtimin e shtetit dhe sot po festojmë vazhdimin e këtij bashkëpunimi dhe partneriteti miqësor”, ka thënë Haradinaj.
Më tutje kryeministri Haradinaj, ka thënë se partneriteti me ShBA-në do të vazhdoj në të gjitha nivelet, duke i falënderuar në emër të popullit për miqësinë e përhershme në mes të dy popujve.
“Populli amerikan përmes USAID-it ka lënë gjurmë në të gjitha aspektet e zhvillimit dhe krijimit të shtetit të Kosovës, duke filluar nga institucionet kryesore të ekzekutivit, sundimit të ligjit dhe demokracisë, duke vazhduar me rritjen ekonomike dhe përfshirjen sociale”, ka thënë Haradinaj.
Duke e falënderuar Misionin e USAID-it, për kontributin e dhënë në shtetndërtimin e Kosovës, kryeministri Haradinaj, ka thënë se presin vazhdimin e bashkëpunimit të frytshëm me udhëheqësen e re të këtij misioni, në agjendën e reformave, zhvillimin ekonomik dhe në mënyrë të veçantë në sektorin e sundimit të ligjit.
/Epoka e re/