Haradinaj: Vasfije Krasniqi mposhti heshtjen kundër aktit më çnjerëzor
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila ka rrëfyer publikisht për dhunimin që i është bërë gjatë kohës së luftës në vendin tonë.
Haradinaj ka thënë se Vasfije Krasniqi-Goodman, ka mposhtur heshtjen dhe është kryengritur kundër aktit më çnjerëzor, duke u bërë model i shoqërisë sonë për të guxuar.
“Ajo i dha zë të vërtetës dhe forcë për të dëshmuar të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Rrëfimi i saj, si pasqyra më reale e përjetimeve tragjike të popullit tonë, është shtysë e fuqishme për ngadhënjimin e drejtësisë dhe që ta njoh bota të vërtetën e Kosovës. Mëngjesin e sotëm, këtë grua të jashtëzakonshme, e përgëzova për guximin e përmasave heroike. Të gjitha viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës e kanë tërë mbështetjen tonë dhe asnjëherë nuk duhet të ndihen të vetme në këtë betejë për drejtësi”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/