Haradinaj: Vendet evropiane po humbin shumë para për Kosovën e Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Evropa po humb shumë para për shkak të Serbisë dhe Kosovës, duke i mbajtur këto dy shtete të papërcaktuara.
Kjo sipas Haradinajt është e dëmshme për çdo komb evropian, sepse siç shprehet ai, nëse ata e mbajnë një rajon të dobët, ata e mbajnë veten të dobët po ashtu.
Haradinaj, në një intervistë për “AlJazeera”, ka theksuar se Kosova ka humbur dy dekada që nga lufta.
“… dhe kjo është në Evropë, të gjitha ato investime, ushtarake, politike, financiare, të gjitha ato angazhime. Është shumë e paarsyeshme ta mbash atë ende si një biznes të papërfunduar”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj ka folur edhe për marrëdhëniet shqiptaro-serbe.
Ai ka thënë se është shkuar shumë larg në pajtimin shqiptaro-serb.
“Ne kemi arritur shumë larg në pajtimin tonë, zëvendëskryeministri im është serb nga Kosova jugore, dy ministra janë nga veriu i Kosovës (i dominuar nga serbët). Unë jam duke punuar me çdo kryetar bashkie … dhe flas me të gjithë deputetët nga veriu”, ka deklaruar Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj ka theksuar se është shqetësuese papunësia e të rinjve në Kosovë dhe, sipas tij, popullsia e re është vërtetë e përgatitur të përballet me atë që ekonomia e tregut mund t’u ofrojë.
“Detyra jonë është të paraqesim një ofertë, një ofertë biznesi për çdo qytetar të vendit tonë, për çdo sipërmarrës në vendin tonë, por edhe për investitorët e huaj. Kjo fillon me sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit”, ka deklaruar Haradinaj.