Haradinaj: Vendimi i Kushtetueses, i çuditshëm, do të jemi në takim te Osmani

22 dhjetor 2020 | 12:21

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj e ka quajtur të çuditshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pavlefshmërinë e qeverisë Hoti, por ka thënë se do ta respektojnë atë.

Haradinaj para nisjes së mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, ka konfirmuar se AAK-ja do të shkojë në takim tek ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani duke thënë se si parti do të respektojnë të gjitha procedurat kushtetuese.

“Ne e kemi pritur një vendim ndryshe, por gjithsesi do të respektojmë, do t’i marrin masat dhe të punojmë që të dalim sa më mirë në zgjedhje. Është një vendim paksa i çuditshëm, do të jetë për studim të ardhmen, kemi raste të panumërta që kanë votuar në parlament e kanë qenë në të njëjtën masë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se AAK-ja do të punojë shumë që të ketë një rezultat të mirë zgjedhor.

“E kemi sot një takim, do të shohim çka do të dalë, por natyrisht do t’i respektojmë të gjitha procedurat që kërkohen. Ne jemi këtu dhe do të shihni në zgjedhje si do të dalë Aleanca në zgjedhje”, është shprehur Haradinaj.

Megjithatë, Haradinaj nuk ka dhënë detaje për kandidatin për kryeministër dhe listën për deputetë.

“Duhet me na prit sepse këto janë procese të cilat ne do t’i diskutojmë brenda strukturave një herë”, është shprehur Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti…