Haradinaj: Vendimi për vizat, javën e ardhshme
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, pas mbledhje së Qeverisë ka komentuar për Projekt-rezolutën e iniciuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e cila kërkon ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë deri në liberalizimin e vizave.
Haradinaj ka thënë se është i informuar për këtë iniciativë dhe e respekton vendimin e deputetëve të AAK-së.
Sipas tij Kosova është për dialog, por shqetësimi dhe presioni për liberalizimin e vizave është duke u rritur çdo ditë. Në këtë kontekst, ai ka thënë se presin që javën tjetër të merret vendimi për heqjen e vizave.
“Të gjithë po e ndjejmë presionin. Nuk besoj që do të arrijmë deri aty, pasi që pritet që më 17 apo 18 korrik ta kemi dhe vlerësimin e BE-së i cili do të jetë pozitiv”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave është proces i rëndë.
“Është një proces i rëndë. Të jemi të kujdesshëm deri në cak. Nuk besoj që këtu humb dikush. Nuk është meritë e kësaj Qeverie, por e një procesi të gjatë. Do ta kemi një vendim pozitiv, por nuk është kryer puna aty”, është shprehur Haradinaj.
Më tutje, Haradinaj ka folur edhe për takimin me drejtuesit e Listës Serbe për të cilët ka thënë se shqetësimet e tyre janë sa i përket sigurisë.
Krejt në fund, Haradinaj ka komentuar largimin e pjesëtarëve serbë nga FSK-ja, duke thënë se nuk do të lejojnë që askush t’i kërcënojë pjesëtarët e FSK-së