Haradinaj: Vendimin për vizat mund ta marrim këtë vit
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se kosovarët pritet që lajmin për lëvizjen e lirë brenda zonës Schengen ta marrin këtë vit.
“Besoj shumë se deri në fund të vitit mund ta marrim vendimin për vizat. Ju kam premtuar [BE-së] se nuk merrni refugjatë dhe krim, por veç partneritet dhe qytetarë të lirë që lëvizin. Për liberalizimin bash të gjithë jemi duke ndihmuar, por do të doja pak meqë LDK-ja ka marrëdhënie me Partitë Popullore Evropiane që të ndihmojë në këtë proces. I lus ata që kanë raporte me partitë e djathta të bëjnë më shumë. Kushdo që mundet është mirë që të në ndihmojë”, ka thënë Haradinaj në “Klan Kosova”.
Haradinaj ka thënë se në çështjen e liberalizimit nuk mund të ndikojë rasti i ish-prokurorit special, Elez Blakaj.
“Kam qenë i shpejtë dhe i saktë dhe i kam informuar për procesin. Vlerësimet kanë ardh për një prokuror që s’ka qenë më në punë. Kritika ime është se ai në vend që t’i çojë listat në gjykatë i ka publikuar nëpër gazeta. Sikur të kishin shkuar në gjykatë ne nuk do të flisnim këtu. Kam reaguar. Ka qenë nervoza ime. M’i kanë qitë minjtë në lendinë, drejtësia e brendshëm, e jashtme. Qëllimi im ka qenë që të mos dëmtohet një proces i tillë. BE e ka kuptuar që ne po punojmë për rend dhe ligj”, ka deklaruar ai.