Haradinaj: Vizat gjithqysh më 2018, nëse jo pas tre muajsh
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka të qartë se liberalizimi i vizave do të ndodhë gjatë vitit 2018, duke shtuar se opsion mbetet edhe muaji mars.
“Shiqoni, mua më thanë a mund të bëhet në muajin mars: unë thash edhe mundet, tash keni parasysh nëse e besoni, merrni totalin e qeverisë, pra, është saktë e fokusume që me ndodh liberalizimi. Ne çdo veprim që e bëjmë ka të bëjë edhe me këtë çështje”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për “Gazetën Express”.
Haradinaj ka thënë se liberalizimi i vizave do të ndodhë për shkak të ‘punëve të mëdha’ që po bën Qeveria aktuale.
“Kjo gjallëri e brendshme është një argument që duhet me ndodh liberalizimi, edhe nëse ka shpërputhje për një kriter të caktuar sepse ky është një kriter i shtuar dhe jo standard pra demarkacioni prapë se prapë Kosova po ec ne proceset e veta. Gjithqysh do të ndodhë më 2018, por jo larg unë besoj se nuk jemi larg, s’po du me dhëne date sepse datën e jep BE, besoj që nuk jemi larg”, ka shtuar ai.