Haradinaj: Vizat pritet të hiqen në dhjetor
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në ditët e para të qeverisë së ardhshme pritet të ndodhë liberalizimi i vizave për qytetarët e vendit tonë.
“Në ditët e para të qeverisë së re do ta kemi liberalizimin. Një pjesë e punës do të ndodhë edhe tani në fund të nëntorit. por liberalizimi do të ndodh në dhjetor. Të gjithë bartim edhe merita edhe faj, këto i kam edhe unë se pse nuk i kemi vizat. BE-ja është e interesuar të ecë përpara në këtë vendim”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për medie ku shpalosi raportin e punës së Qeverisë dyvjeçare të drejtuar nga ai.
Në këtë konferencë, Haradinaj ka edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë është pro dialogut, por jo edhe për ndonjë marrëveshje të dëmshme për Kosovën.
Më tutje Haradinaj, i ka quajtur të pavërteta deklaratat e zyrtarëve malazezë në lidhje me demarkacionin.
Ai tha se marrëveshja është e ratifikuar, por ka mbetur të bëhet shenjëzimi i pikave kufitare.
“Nuk ka ende pika zyrtare ku është kufiri dhe në këtë mes të deklaratave ekziston hapësira për shënjimin e drejtë se aty është maja e Çakorrit”.
“Nuk është e vërtetë ajo që thotë Mali i Zi se ata nuk i japin tokë askujt. As ne nuk kërkojmë tokë të njëri-tjetrit. Do të ndodhë nëse duan nuk do t’i themi korrigjim, por shenjëzimi është në Qafë të Çakorrit e të Kullës”, ka thënë Haradinaj.