Haradinaj: Vizita e Dole shënoi kthesë të madhe në Kosovë

30 gusht 2020 | 17:19

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vlerësuar lart vizitën e senatorit amerikan Bob Dole, 30 vjet më parë në Kosovë.

Me rastin e vendosjes së bustit të senatorit Dole sot në Prishtinë, i pari i AAK-së ka vlerësuar se lapidari i senatorit Bob Dole në kryeqytet e nderon mikun e madh të popullit të Kosovës.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Lapidari i senatorit Bob Dole në kryeqytet, përpos që nderon mikun e madh të popullit të Kosovës, ai simbolizon edhe ngjarjen historike të 29 gushtit 1990, që shënoi kthesë të madhe e i dha orientim zhvillimeve që do të pasonin.

Të kryesuar nga Bob Dole, senatorët amerikan vërtetuan prej së afërmi ndjenjat e një populli të robëruar, liritë e të cilit i kufizoheshin çdo ditë, mbijetesa e të cilit vihej në rrezik.

Aleanca e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara, do të niste një kapitull të ri, i cili i kurorëzua me shumë suksese në dobi të demokracisë dhe të drejtës së shqiptarëve të jenë zot në shtëpinë e tyre.

Edhe pse në moshë të shtyer, Bob Dole vazhdon të jetë një luftëtar i devotshëm kundër komunizmit dhe shtypjes së popujve që ende nuk kanë realizuar aspiratat e tyre për liri e demokraci.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lajmi për largimin e mundshëm të Leo Messi-t nga Barça…