Haradinaj viziton ‘Abi Çarshinë’ në Prizren
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka vizituar qendrën tregtare “Ani Çarshia” në Prizren, ku është pritur në takim nga pronari i kësaj qendre, Irfan Fusha.
Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se është i impresionuar me sukseset e kësaj qendre.
“Gjatë vizitës së sotme në qendrën më të madhe tregtare në rajon, ‘Abi Çarshia’ si kompleks i kompanisë ‘Abi’, e cila punëson mbi një mijë punëtorë, me pronar Irfan Fusha, u njoftova se veprimtaria prodhuese dhe tregtare e saj ka shënuar rritje të dukshme, prej se është vendosur taksa 100%, dhe synim parësor e ka zgjerimin e operimit me projekte të reja, si dhe rritjen e vendeve të reja të punës”.
“I impresionuar të shoh një sukses të tillë, që është dëshmi e fokusimit në vlerë të re. Puna që bëhet në industrinë e ushqimit, duke grumbulluar nga fermerët vendorë dhe shpërndarë në treg pemë, perime dhe produkte të qumshtit, është orientimi i duhur, jo vetëm për të fuqizuar ekonominë e vendit, por edhe për të përmbushur nevojat e tregut të brendshëm. Vetëm duke punuar për Kosovën dhe në Kosovë, do ta realizojmë projektin 100% shtet”, ka shkruar Haradinaj.
/Epoka e re/