Haradinaj viziton AKB-në, njoftohet me sfidat që po përballen bizneset
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot Aleancën Kosovare të Bizneseve (AKB), ku është pritur nga kryetari i saj Agim Shahini.
Ish-kryeministri Haradinaj është njoftuar për vështirësitë dhe sfidat me të cilat po përballen sot bizneset e vendit.
“Fatkeqësisht, gjatë mandatit të kësaj qeverie, roli i saj në zhvillimin ekonomik, nuk është ndjerë mjaftueshëm. Bizneset vendore po përballen me vështirësi të shumta, të cilat po rrezikojnë funksionimin e tyre e shumë nga ato po përballen me rrezikun për mbijetesë. Bizneset prodhuese janë para kolapsit. Bizneset kanë rritje të kostos së prodhimit për shkak të rritjes enorme të çmimeve të lëndës së parë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka theksuar se inflacioni i shkaktuar nga rritja e çmimeve të energjisë dhe naftës, prodhuesit vendorë i ka sjell në pozitë të pabarabartë në treg me prodhuesit konkurrentë nga vendet e tjera.
“Bllokimi i investimeve publike e ka goditur rëndë ekonominë. Vonesa e Ligjit të Pagave ka sjellë varfërimin e një shtrese të popullsisë e si pasojë zvogëlimin e fuqisë blerëse në treg”, ka deklaruar Haradinaj.