Haradinaj viziton kompaninë ‘Meka’, premton përkrahje për prodhuesit vendorë
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot kompaninë “Meka” në Dragash, ku nga afër është njoftuar për planin zhvillimor të kësaj kompanie për të ardhmen dhe impaktin e taksës 100% në ngritjen e kapaciteteve prodhuese.
Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se krahas reformave fiskale për lirimin e lëndës së parë nga TVSh-ja, me këmbëngulje do të vazhdojë në krijimin e klimës së volitshme për kompanitë vendore. “Sot, isha dëshmitar i kapacitetit mbresëlënës të prodhimit cilësor në kompaninë ‘Meka’ të familjes së vyer Piraj, një shembull i shkëlqyer se si sektori privat respekton të drejtat e punëtorëve dhe që ka fituar besimin e konsumatorit në nivel global”.
“Nga pronari Burim Piraj, u njoftova për planin zhvillimor të kompanisë për të ardhmen dhe impaktin e taksës 100 për qind në ngritjen e kapaciteteve prodhuese, rrjedhimisht edhe në hapjen e vendeve të reja të punës. Krahas reformave fiskale për lirimin e lëndës së parë nga TVSh-ja dhe lehtësirave tjera, me këmbëngulje do të vazhdojmë në krijimin e klimës së volitshme për kompanitë vendore, që të rrisin prodhimtarinë me cilësi të garantuar dhe të shtojnë numrin e të punësuarve, duke iu siguruar pagë dhe kushte të dinjitetshme në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj.
/Epoka e re/
/Epoka e re/