Haradinaj viziton komunitetet në fshatin Plemetin
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar edhe nga kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, me bashkëpunëtorë, ka vizituar të mërkurën fshatin Plemetin, ku ka marrë pjesë në nisjen e punimeve në asfaltimin e rrugës Sitnica, në Obiliq.
Haradinaj ka theksuar rëndësinë e realizimit të këtij projekti për banorët e këtyre fshatrave.
“Kemi ardhur në respekt të këtij projekti që i bën bashkë shqiptarët dhe serbët dhe të gjitha komunitetet që jetojnë në komunën e Obiliqit, dhe i përgëzojmë për këtë projekt”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se ka kërkuar nga KEK-u që t’ju jap përparësi familjeve që janë të shpërngulura dhe do të insistojnë që në investimin e ri të përfshihen banorët e Obiliqit.
Ndërsa kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka thënë se projekti i cili kap vlerën rreth 230 mijë euro, është rrugë e cila lidhet me urën dhe vazhdon nga Plemetini deri në Hamidi, Palaj, Shipitullë, e që realizohet nga Ministria e Infrastrukturës.
Në anën tjetër, nënkryetari i Komunës së Obiliqit, Slavisa Jakovljeviq, ka thënë se më e rëndësishmja për ta është fakti se kryetari Gashi nuk i ka harruar asnjëherë dhe se çdoherë që ka pasur kohë i ka vizituar ata, duke e ftuar Haradinajn për vizitë në shtëpinë e tij, me ç’rast kryeministri e ka pranuar ftesën dhe më pas e ka vizituar familjen e nënkryetarit të kësaj komune.
/Epoka e re/