Haradinaj viziton Pentagonin: Kosova gjithmonë do të jetë në krah me Amerikën
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka qdndruar të martën në Pentagon, ku është pritur në takim nga Alton V. Buland, drejtor kryesor i për Evropën dhe Politikat e NATO-s në zyrën e sekretarit të Mbrojtjes.
Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se Kosova gjithmonë do të jetë në krah me Amerikën.
“Gjithmonë është nder i madh të vizitoj Pentagonin dhe të takohem me z. Alton V. Buland, drejtor kryesor për Evropën dhe Politikat e NATO-s në zyrën e sekretarit të Mbrojtjes.Në fillim të takimit e falënderova z. Buland për angazhimin e madh që Ushtria dhe qeveria amerikane e ka në mbështetje të popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj, në veçanti në ndihmën që i kanë dhënë dhe i japin forcimit të Ushtrisë së Kosovës. Gjatë takimit me z. Buland argumentova nevojën për anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO. Theksova se një proces i përshpejtuar i anëtarësimit të Kosovës në NATO e ndihmon sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Theksova se Kosova dhe Ushtria gjithmonë do të jetë në krah me Amerikën dhe shteteve tjera anëtare të Aleancës veri-atlantike të NATO-s. Konfirmova se lidhja jonë me Amerikën do të jetë e përjetshme”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.