Haradinaj: Vjena, adresa e përhershme për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës
Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz, me të cilin kanë konfirmuar përkushtimin për thellimin e partneritetit afatgjatë politik dhe ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Ai ka thënë se me aleatë tradicionalë si Austria, Kosova ka kaluar sfidat më të mëdha të shtetndërtimit.
Sipas Haradinajt, Vjena zyrtare mbetet adresë e përhershme për ngritjen dhe konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës.
“Kisha nderin të zhvilloj takim me kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz, me të cilin edhe njëherë konfirmuam përkushtimin për thellimin e partneritetit afatgjatë politik dhe ekonomik ndërmjet dy vendeve tona. Gjatë bashkëbisedës përmbajtjesore për perspektiven evropiane të vendit dhe rajonit, Kancelarit Kurz, i shpreha mirënjohjen e thellë për mbështetjen e pakursyer të shtetit austriak për avancimin në rrugën tonë euroatlantike. Me aleatë tradicionalë si Austria, vendi ynë ka kaluar sfidat më të mëdha të shtetndërtimit. Vjena zyrtare mbetet adresë e përhershme për ngritjen dhe konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë Haradinaj pas takimit me Kurzin.
/Epoka e re/