Haradinaj: Vjosa Osmanin nuk e kemi bllokuar me votë, Thaçin po
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se kjo parti nuk ka marrë ende vendim për Albena Reshitajn, e cila doli kundër partisë dhe e dha votën e saj për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente.
Ai ka kritikuar mënyrë se si LVV dhe Vjosa Osmani bënë presion mbi deputetët e AAK-së.
“Nuk e di si do të jetë kjo marrëdhënie. Nuk e kam takuar që atë ditë. Ne nuk kemi paraparë përjashtimin e saj. Nuk e di a do ta bëjmë. Ne jemi në opozitë si gjashtë, si shtatë, si tetë. Kushdo që nuk e ka vullnetin të qëndrojë në AAK mund të mos rri. Është vendimi Reshitajt si don ta menaxhojë situatën”, tha Haradinaj në Kanal 10.
Haradinaj ka thënë se Vjosa Osmani dhe LVV e kanë lënduar raportin me të pasi që kanë bërë presion mbi deputetët e kësaj partie.
“Mënyra se si është zgjedhur mi ka lëndu raportert me të. Më është dëmtu partia. Më është marrë një deputete. Është tjetërsuar vota e AAK-së. Presidentja është dashur të më kërkoj vota mua edhe si parti ia kishim bërë zgjidhjen. Ne kemi marrë vendime të caktuara dhe ka rastisur që presidentja jonë është zgjedhur duke bërë presione mbi deputetët tonë. Ne nuk ia kemi bërë asnjë pengesë Vjosa Osmanit. Për Thaçin e kemi bërë, krejt opozita kemi bërë presion. Kemi mundur, ama nuk e pranoj qasjen që e kanë pasur me AAK-në”, tha Haradinaj.