Haradinaj, Vuçiqit: Durimi i Kosovës nuk duhet testuar pakufi
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ultimatumi i Lista Serbe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është qasje e gabuar.
Ai ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duhet ta kuptojë se durimi i Kosovës nuk duhet testuar pakufi.
“Kosova nuk mund të zhbëhet për hatër të askujt. Nuk ka ndarje të Kosovës dhe as nuk do të ketë këmbim territoresh. Lista Serbe duhet të kthehet në tavolinë dhe të diskutojë për temat e përbashkëta në të mirë të qytetarëve tanë. Ultimatumi është qasje e gabuar dhe formula e vetme është baza ligjore dhe kushtetuese. Presidenti serb, Vuçiq duhet ta kuptoj që durimi i Kosovës nuk duhet testuar pakufi dhe se ne do ta mbrojmë të drejtën tonë”.
“Demarkacioni ka marrë epilogun e duhur dhe LDK-ja ka treguar korrektësi politike në këtë proces. Të gjitha partitë politike duhet të kenë komunikim strategjik, për interesat vitale të vendit si dhe për proceset integruese që na presin. Për këto dhe temat tjera, ju ftoj ta ndiqni intervistën time me Adriatik Kelmendin në KTV – ‘Rubikon’, sonte në ora 21:00”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.