Haradinaj: Vullneti i qytetarëve mund ta sfidojë secilin liderë
Kryeministri në dorëheqje dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se si Kosovë janë të përcaktuar që shtetin tonë ta ndërtojmë në demokraci dhe mbi bazën e vlerave euroatlantike.
Ai ka thënë se kontrata e secilit lider me popullin dhe shtetin është kontratë me Kushtetutën dhe ligjet.
Në këtë kontekst, Haradinaj ka thënë se vetëm demokracia dhe vullneti qytetar mund ta sfidojë secilin liderë.
“Të dashur qytetarë, si Kosovë, jemi përcaktuar që shtetin tonë ta ndërtojmë në demokraci dhe mbi bazën e vlerave euroatlantike. Rrjedhimisht, kontrata e secilit lider me popullin dhe shtetin, është kontratë me Kushtetutën dhe ligjet. Këtë kontratë, e zbatojnë vetëm liderë dhe udhëheqës, të qëndrueshëm, të cilët para çdo interesi personal, e kanë parësor shtetin dhe qytetarin!”
“Qëndrueshmëria e bazuar në të drejtën dhe konsistenca në politikbërje, e forcon integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe e bënë ndryshimin. Nënshtrimi për interesa personale dhe grupore, kompromiset dhe politikat e paqëndrueshme, që bien ndesh me interesat vitale, nacionale dhe shtetërore, sjellin pasoja tragjike për vendin dhe të ardhmen tonë! Vetëm demokracia dhe vullneti i qytetarëve, mund dhe duhet ta sfidojë secilin liderë, duke ia përcaktuar të ardhmen politike”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
/Epoka e re/